https://www.youtube.com/watch?v=ePcvEq6iido

11 GUSHT – 22 SHTATOR 2019

Sazani
Tokë e Askujt

ME FOTOGRAFI NGA

E KURUAR NGA

“Sazani: Tokë e Askujt” është një ekspozitë e bazuar në hulumtimet fotografike dhe arkivore, që sjell bashkë harta origjinale nga forcat e ndryshme që kaluan përmes ishullit, me lentet e 5 artistëve: Helidon Gjergji, Dritan Hyska, Gaime Meloni, Abi Shehu, dhe Gerta Xhaferaj.

Ekspozita shërben si një mision zbulues për projektin ARTiLERIA; një projekt planifikimi kulturor i cili shndërron ishullin e Sazanit në një vendbanim të përkohshëm, ku fushat krijuese ndërthuren me trashëgiminë, natyrën dhe izolimin; duke ruajtur strukturat ekzistuese si një muze i përhershëm në ajër të hapur.

"Tokë e askujt njihet si një tokë e pasunduar ose objekt mosmarrëveshjesh mes palëve që e lënë atë të paokupuar për shkak të frikës ose pasigurisë. Termi përdoret gjithashtu për t'iu referuar ambiguitetit, një zone anormale ose të pacaktuar, në lidhje me një aplikim, situatë ose juridiksion."

Sazani është ishulli më i madh, dhe shpesh konsiderohet i vetmi në Shqipëri. I vendosur 17 km larg bregdetit të qytetit jugor të Vlorës, marrëdhënia midis Sazanit dhe kontinentit ka qenë gjithnjë e mbyllur në mister - aq afër, por i paarritshëm. Ishulli ndodhet ne një pozicion strategjik midis ngushticës së Otrantos dhe qytetit të Vlorës, duke krijuar kufirin midis detit Adriatik dhe Jon, dhe duke siguruar pikën më të afërt me Italinë Jugore nga Ballkani.

Që nga antikiteti, ishulli ka ndryshuar disa herë zotërim: Romakët, Osmanët, Britania Koloniale, Greqia dhe Italia Fashiste, të gjithë kaluan dhe shkruan historinë e ishullit, secili në përkohshmërinë e vet. Por ajo që ata kishin të përbashkët ishte përdorimi i tyre i Sazanit për qëllime ushtarake. Zhvillimi më i madh për ishullin erdhi gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Sazani u çlirua nga forcat antifashiste më 22 Tetor 1944, dhe pas bunkerizimit të Shqipërisë nga diktatori Enver Hoxha, Sazani u bë bunkeri kufitar i Shqipërisë drejt perëndimit: një ishull plotësisht i fortifikuar.

Shqipëria ishte gatitur, por askush nuk erdhi... Me rënien e regjimit komunist në 1991, ishulli u bë pothuajse plotësisht i pabanuar, duke lënë dhjetëra ndërtesa, kilometra tunelesh nëntokësore dhe mijëra bunkerë betoni që hetojnë kodrat dhe plazhet e ishullit. Edhe pse përgjatë historisë ka qenë pothuajse e pamundur që qytetarët e thjeshtë t’i afrohen Sazanit për shkak të rolit të tij ushtarak, në kulmin e tij ishulli ishte streha e një popullsie prej mbi 3000 ushtarakësh dhe familjeve të tyre, me disa lagje, shkollë fillore dhe një kompleks spitalor së bashku me mbi 2500 bunkerë qëndra zjarri.

Tani ishulli dëshmon një testament të mumifikuar për paranojën dhe izolimin e regjimit. Struktura plotësisht të braktisura që gëlltiten nga natyra, dhe disa ushtarë të vetmuar qe numërojnë yjet. Pra ky është Sazani, toka e askujt, e mbërthyer midis lindjes dhe perëndimit, e mbërthyer diku midis së kaluarës dhe të ardhmes, por përfundimisht jo në të tashmen.

Copyright 2019: GALERiA e BREGDETiT