01 QERSHOR – 10 KORRIK 2019
Përjetimi i motit është një vatër e përbashkët e përvojës njerëzore. Duke nisur nga tregimi i historive ndanë zjarrit gjatë një stuhie të papritur, te trajtimi i djegieve të zakonshme kur ke luajtur futboll nën diell, dhe deri te bisedat e sforcuara mbi vapën apo shiun kur nuk ke diçka tjetër për të thënë, moti vendos kontekstin dhe tonin e çdo skene të së përditshmes.
Vitet e fundit moti ka qenë tejet tekanjoz duke sjellë ndryshime të mënyrës sonë së të jetuarit brenda më pak se një dekade, për shkak të ndryshimeve klimatike që po na trokasin te porta. Ndryshimi i klimës është një temë më e nxehtë se kurrë, teksa brezat e aktivistëve të rinj janë rreshtuar në udhëheqjen e betejës kundër apatisë botërore përballë egërsimit të klimës. Ç’është më e rëndësishmja, vetë ne mund ta ndjejmë këtë ndryshim. E ndjejmë gjatë shkurtit çuditërisht të ngrohtë kur mjaftohesh dhe me një bluzë, te ditët e ftohta të majit (dikur mesdhetar) apo te breshëri kërcënues mbi tavanin e makinës në një ditë të zakonshme vere.
Në këtë ekspozitë kolektive, peizazhi idilik shqiptar qëndron në prapaskenën e çdo hetimi artistik mbi natyrën efemere të motit dhe lidhjes sonë të thellë me të.