10 KORRIK – 02 GUSHT 2020

Jug pranë Detit

"Ledia Kostandini, Theo Napoloni, dhe Sead Kazanxhiu janë tre artist me prejardhje nga jugu i Shqipërisë. Gjë e cila ndoshta shprehet në lirinë e gamës së gjerë të ngjyrave që ata përdorin, por ky fakt nuk ju përkufizon identitetin. Çfarë i bashkon më shumë është përkatësia e tyre në një gjeneratë artistësh që kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës në tranzicionin 30 vjeçar shqiptar.

Artefakte të pejzazhit urban dhe jo vetëm, vëzhgohen me një vëmendje të veçuar nëpërmjet dekontekstualizimit të këtyre objekteve, duke nxjerrë në pah ironinë e situatave shpesh herë absurde që ka prodhuar kjo periudhë, por edhe një melankoli për një mënyrë jetese që shumë shpejt rrezikon të shuhet së ekzistuari.

"Ishim më mirë kur ishim më keq" dëgjohet shpesh kur shëtitet nëpër cepat idilik të jugut, por dhe në enklava me të largëta të emigrantëve shqiptar; si një mall për një periudhë më të thjeshtë, e cila nuk ka qënë aspak e tillë. Çfarë ka përfaqësuar kjo kohë, është më shumë një shpresë pothuajse e pafajshme nga mundësitë e pafundshme që vinin se bashku me tragjeditë e këtij tranzicioni të dhunshëm. Një shpresë e cila të paktën frymezonte një kurajo që bënte pothuajse çdo gjë të mundur.

Thonë që nevoja është nëna e shpikjes. Në këtë prizëm dhe Shqipëria po ndryshon edhe po modernizohet të paktën në nivel sipërfaqësor me ambiciet e veta, për t'ju bashkuar Evropës dhe të ardhmes. Por ndoshta ky ndryshim po vjen kaq rrëmbyeshëm sa shumë shpejt do të pyesim veten "a kanë qenë me të vërtetë pjesë e përditshmërisë tonë këto shpikje?"

Me këtë projekt GALERiA e BREGDETiT fillon një seri ekspozitash të cilat vënë vëmëndjen tek Jugu Global si pozicion fizik por dhe sociopolitik, duke u dhënë mbështetje artistëve të "Jugut".

- Kuruar nga Elian Stefa

Copyright 2019: GALERiA e BREGDETiT